Akademia Evolucion ka organizuar një trajnim të dedikuar për stafin akademik, me fokus në sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe rolin kyç të profesorëve në këtë proces. Trajnimi u udhëhoq nga Drejtoresha e Sigurimit të Cilësisë, Prof. Dr. Ferdije Zhushi Etemi, dhe u bazua në standardet evropiane të Procesit të Bolonjës si dhe në Standardet dhe Udhëzimet për Sigurimin e Cilësisë në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë (ESG).
Gjatë trajnimit u trajtuan përgjegjësitë e stafit akademik në ofrimin e mësimdhënies cilësore, hartimin dhe rishikimin e kurrikulave, vlerësimin transparent të studentëve, si dhe rëndësia e mësimdhënies me studentin në qendër. Vëmendje e veçantë iu kushtua zbatimit të sistemit ECTS, integrimit të kërkimit shkencor në mësimdhënie dhe përdorimit të feedback-ut për përmirësim të vazhdueshëm.
Ky trajnim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kulturës së cilësisë në Akademinë Evolucion dhe përmbushjes së standardeve kombëtare dhe evropiane të arsimit të lartë, duke kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e përvojës akademike të studentëve.
