Akademia Evolucion ka shënuar në vitin 2015 dhjetë vjet të themelimit të saj. Me një numër të madh studentësh të përgatitur për sfidat e reja brenda vitesh, një staf profesional e të përkushtuar “Evolucion” është shndërruar në Institucionin më kredibil dhe më të avancuar të arsimit të lartë në Kosovë.
Së bashku me studentët, me stafin mësimdhënës dhe atë profesional në praninë e Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga dhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi, “Evolucion” ka shpalosur 10 vjet të punës dhe të arritjeve të mëdha.
Drejtoresha Ekzekutive, znj. Enkelejda Shatri, në fjalën e saj të rastit ka theksuar se një Akademi e vogël njëkohësisht është bërë tempull i rëndësishëm i edukimit.
“Të nderuar të pranishëm,
Jubiletë shënojnë rritën e një institucioni, pjekurinë e tij dhe zhvillimin. Jubiletë zakonisht bëjnë bashkë edhe ata që kanë ngritur idenë dhe kanë trasuar rrugën e institucionit, edhe ata që me vullnetin e tyre i kanë dhënë shpirt atij, edhe ata që e kanë ngritur dijen në një themel të fortë për gjeneratat e reja dhe në veçanti studentët që kanë besuar në Akademinë Evolucion e që së bashku me gjithë ne kanë arritur të ndërtojnë një çerdhe të fuqishme të dijes.
Ky është 10 vjetori i Akademisë – një përvjetor i rëndësishëm që dëshmon përkushtimin tonë për të qenë pjesë e botës së dijes e zhvillimit, pjesë e përparimit të përgjithshëm në shoqëri. Dhe prandaj ne kemi qëndruar pranë secilit student, për ta bërë të aftë që të përballet me sfidën e jetës dhe për të qenë zot i vetvetes.
Jo rastësisht e kemi quajtur Evolucion – për ta dëshmuar se sa shumë mund të zhvillohet bota jonë, të cilën e kemi veshur dhe i kemi dhënë ngjyrat e jetës dhe të cilës megjithatë i kemi mbetur borxh për ta ndryshuar aq sa mundemi.
Në këtë përvjetor kaq të rëndësishëm për këtë institucion arsimor, të cilin e shënojmë në praninë e njeriut të parë të shtetit të Kosovës, zonjës Presidente, dua të theksoj se Akademia Evolucion ka ngjallur besimin dhe forcën tek secili student, posaçërisht tek vajzat e reja, për të qene zonja të vetvetes dhe për t’u bërë pjesë e barabartë e shoqërisë. Por ne nuk i kemi ndarë në gjini sepse për ne gjinia nuk ka kuptim, meqë:
Enterieri – është shpirti ynë
Komunikimi – është gjuha jonë
Artet mediale – janë forca shtytëse
Dhe, dizajni është bota jonë. Ne e kemi veshur dhe e kemi ngjyrosur. E kemi formësuar!
Dhjetë vjet nuk janë shumë, por janë vazhdimësi dhe gjithsesi janë vitet më të rëndësishme që kanë treguar stabilitetin tonë, përkushtimin për të treguar edhe seriozitetin, edhe aftësinë, edhe shkathtësinë edhe dijen. Ne ia kemi arritur sepse gjenerata të tëra të profesorëve që kanë ofruar dijen dhe përvojën e tyre, kanë treguar se sa e mundshme është që një Akademi e vogël të bëhet njëkohësisht tempull i rëndësishëm i edukimit.
Prandaj dua të falënderoj të gjithë profesorët që sot janë ende me Akademinë Evolucion, edhe ata që kanë qenë pjesë e saj. Ju faleminderit që qëndruat me të rinjtë e të rejat, me gjeneratat e tëra të studentëve që janë krenaria e Evolucionit dhe që sot janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë në Kosovë. Dhe në fund: ky jubile na jep më shumë forcë për të ecur tutje në rrugën e pakthyeshme të edukimit, për të ardhmen e gjeneratave të reja”, ka thënë në fjalën e rastit drejtoresha Enkelejeda Shatri.