Në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA), studentët njihen si akterët kyç të cilët duhet të marrin pjesë në formësimin e arsimimit të tyre dhe përvojës së tyre mësimore. Deklarata e Pragës e nënshkruar nga të gjithë ministrat e arsimit të EHEA përcakton se studentët duhet të konsiderohen anëtarë të barabartë të komunitetit akademik të arsimit të lartë.
Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është e përkushtuar që të mbështesë fuqizimin e rolit të studentëve në arsimin e lartë të Republikës së Kosovës. Për këtë qëllim, AKA ka hartuar një udhëzues i cili bazohet në një sërë parimesh evropiane të cilat ndihmojnë institucionet e arsimit të lartë në Kosovë që të zhvillojnë kulturën e integrimit të studentëve si në qeverisje ashtu edhe në procedurat e sigurimit të brendshëm të cilësisë.
Angazhimi i përbashkët në drejtim të rritjes së përfshirjes së studentëve në këto procese i kontribuon përmirësimit të sistemit të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës dhe rikthimit të AKA-së në ENQA dhe EQAR. Ky projekt është i financuar nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.